Lajme
Kryesore

Rama: Shqipëria, nën sulme të egra kibernetike nga Irani – 42 sulme serioze vetëm gjatë vitit të kaluar

Kryeministri Edi Rama ka ngritur alarmin për kërcënimet kibernetike ndaj Shqipërisë, duke zbuluar se vendi është përballur me një numër të lartë sulmesh ndaj infrastrukturës digjitale shtetërore.

Gjatë aktivitetit “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”, Rama deklaroi se Shqipëria është sulmuar në mënyrë të egër nga Irani, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të “fshirë gjithçka që kemi ndërtuar në 10 vite”.

“Irani nuk është një haker i rastësishëm. Është një nga fuqitë më të mëdha të terrorit digjital. E kemi zmbrapsur sulmin pa dëme të mëdha,” u shpreh Rama, duke theksuar se rreziku është i vazhdueshëm dhe shumë real.

Kryeministri bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 42 sulme serioze ndaj sistemeve shtetërore, ndërsa në vitin 2023 numri i tyre ka arritur në 63.

“Askush nuk di për to, sepse sulmet që zmbrapsen nuk bëjnë lajm,” tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse digjitale të vendit.

Në të njëjtën kohë, ai vuri në pah se përdorimi i inteligjencës artificiale do të luajë një rol kyç në përmirësimin e shërbimeve publike dhe në mbrojtjen ndaj kërcënimeve kibernetike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button