Rama prezanton projektin për kontroll të avancuar të territorit me kamera inteligjente dhe AI

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një nga projektet më ambicioze të qeverisë në fushën e teknologjisë dhe sigurisë publike, gjatë aktivitetit “Fuqizimi i AI në Shërbimet Publike Digjitale në Shqipëri”. Ai njoftoi nisjen e programit për qytete të zgjuara, që përfshin vendosjen e një rrjeti kamerash inteligjente në rrugët kryesore të vendit.
Sipas Ramës, zbatimi i këtij sistemi do të fillojë këtë vit në qendrat e qarqeve, duke mundësuar një kontroll absolut të territorit nëpërmjet fuqisë së inteligjencës artificiale.
“Këtë vit do të fillojë zbatimi i sistemit të kamerave inteligjente fillimisht në qendrat e qarqeve. Do të kemi një kontroll absolut mbi territorin,” deklaroi ai, duke shtuar se teknologjia do të zëvendësojë praninë fizike të policisë në rrugë.
Kryeministri theksoi se policia do të marrë një rol reaktiv, duke ndërhyrë vetëm në raste të nevojshme, ndërsa shkeljet e qarkullimit rrugor do të monitorohen dhe ndëshkohen automatikisht nga sistemi.
“Falë IA, do të largohet prania konstante e policëve nga rrugët. Policia do ndërhyjë vetëm kur është realisht e nevojshme,” u shpreh Rama.
Ai ironizoi edhe mënyrën sesi do të funksionojë njoftimi për gjobat: “Në kohë reale do të vijë fotoja duke buzëqeshur, ndërsa je duke ecur më shpejt se duhet, me një këshillë për të ulur shpejtësinë, vendin ku do paguash gjobën dhe foton sigurisht.”
Projekti synon të rrisë sigurinë publike, të ulë shkeljet në qarkullim dhe të rrisë efikasitetin e shërbimeve publike përmes teknologjisë më të fundit.