Rama prezanton projektin “Identiteti Digjital”: Shqipëria, një vit përpara BE-së në revolucionin teknologjik

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin ambicioz “Identiteti Digjital”, i cili pritet të vihet në dispozicion të qytetarëve shqiptarë në fillim të vitit 2026. Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Piramidës në Tiranë, Rama e cilësoi këtë iniciativë si një hap të madh drejt modernizimit teknologjik të jetës sociale dhe ekonomike të vendit.
“Prej disa kohësh jemi angazhuar me shumë dëshirë dhe ambicie për të krijuar Identitetin Digjital, i cili është baza e një kapërcimi të madh në të ardhmen falë teknologjisë,” – deklaroi Rama, duke theksuar se Shqipëria do të jetë një vit përpara Bashkimit Europian në zbatimin e këtij sistemi.
Sipas tij, projekti do të shërbejë si themel për kalimin gradual nga përdorimi i parave cash në transaksione digjitale, duke sjellë më shumë siguri për konsumatorët, transparencë në treg dhe rritje të të ardhurave.
“Identiteti digjital është një instrument i domosdoshëm për planin tonë të kalimit në ekonominë digjitale. Teknologjia është një bekim i kohës sonë që na lejon të kapërcejmë epoka të tëra zhvillimi,” – shtoi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri njoftoi edhe krijimin e kompanisë publike “AlbTrace”, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë. Kjo kompani do të mundësojë gjurmueshmërinë në kohë reale të produkteve, duke rritur kontrollin dhe sigurinë në treg, si dhe duke ulur ndjeshëm nivelin e informalitetit.
“Kjo kompani do të na ndihmojë të rrisim sigurinë e produkteve dhe të ulim informalitetin, që shpesh ndikon negativisht në cilësinë e jetës dhe shëndetin e njerëzve,” – tha Rama.
Projekti “Identiteti Digjital” pritet të jetë një ndër transformimet më të mëdha digjitale në Shqipëri, duke e pozicionuar vendin si një lider rajonal në inovacion dhe teknologji.



