Gjakovë: Gjobitet me 1100 euro shoferi dhe kompania për ndotje të rrugës me baltë

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka shqiptuar gjoba ndaj një shoferi kamioni dhe kompanisë pronare të mjetit, pasi kishin ndotur rrugën me baltë, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.
Rasti ka ndodhur më 18 tetor 2025, rreth orës 09:00, në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë. Sipas Policisë, gjatë patrullimit, zyrtarët kanë vërejtur baltë të shpërndarë në rrugë që krijonte vështirësi për qarkullimin.
Pas hetimeve, është identifikuar shoferi i kamionit, ndaj të cilit është shqiptuar një gjobë prej 100 eurosh, bazuar në Ligjin nr. 08/L-186, neni 41.3. Ndërsa ndaj kompanisë pronare të mjetit është shqiptuar gjobë prej 1000 eurosh, në bazë të nenit 41.2 të të njëjtit ligj.
Policia e Gjakovës ka njoftuar se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara dhe masa parandaluese për rritjen e sigurisë dhe vetëdijesimit në trafikun rrugor.



