Rama në Samitin e Komunitetit Politik Europian: “Fushatë për Europën”, por hesht për manipulimet dhe bandat

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Europian, komentoi fushatën zgjedhore të 11 Majit dhe rezultatin elektoral, duke e cilësuar si një fitore të idesë europiane në Shqipëri. “Mbërritja juaj vijon një fushatë zgjedhore ku Europa ka qenë më e pranishme se kurrë, jo si ndasi, por si një deklaratë përbashkët identiteti… Fituam mbi 52% të votave,” tha Rama, duke e krahasuar këtë rezultat me referendumin e Brexit, por me “role të përmbysura”.
Ai nënvizoi se edhe 48% e mbetur nuk janë euroskeptikë, por “eurooptimistë të painformuar” që besojnë se ai duhet të kishte arritur integrimin më herët.
Por pavarësisht toneve optimiste, deklarata e Ramës nuk mori shumë vëmendje nga liderët e tjerë të pranishëm. Në fjalimin e tij nuk u përmend as patronazhimi i votës brenda dhe jashtë vendit, as roli i bandave në blerjen dhe presionin mbi votuesit. Rama shmangu gjithashtu çdo referencë për përfaqësimin e grupeve kriminale në parlament apo për “trenin bullgar” të manipulimit të votave.
Po ashtu, ai nuk foli për kontrollin e qeverisë mbi mediat apo për akuzat për manipulim të rezultateve, që kanë ngritur shqetësime serioze brenda dhe jashtë vendit.
Në thelb, Rama zgjodhi të flasë për Europën si një ëndërr të përbashkët, ndërsa heshti për realitetin e dhunshëm dhe të manipuluar që e solli në atë podium si fitues.