Rama: “Ne e duam Europën pa kushte, edhe pse Europa na ka bërë të vuajmë shumë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi dje në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni se Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Evropian pa kushte, duke theksuar se, megjithëse Europa ka sjellë sfida dhe vështirësi për vendin, “ne e duam Europën”.
Në panelin ku morën pjesë edhe kryeministri malazez, Milojko Spajiç, komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos, dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, Rama theksoi se tani po vijojnë negociatat me Bashkimin Evropian dhe Shqipëria synon të përmbushë të gjitha kushtet deri në vitin 2027. “BE na sfidon, por në fund jam i bindur që do të ‘martohemi’ me Europën”, tha ai.
Forumi i Bledit, i mbledhur për të 20-tin vit me radhë, ka për qëllim të nxisë diplomacinë dhe dialogun politik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve europianë. Ministri gjerman, Florian Hahn, i pranishëm në forum, vlerësoi rëndësinë e diskutimeve për sfidat gjeopolitike, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë e Ukrainës dhe integrimin europian të rajonit.
Ky forum rithekson angazhimin e Shqipërisë dhe vendeve fqinje për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afrimin me Bashkimin Evropian.