Rama kërkon largimin e kupolës drejtuese të Bashkisë Tiranë: Ristani, nënkryetarët dhe reforma e thellë territoriale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të të gjithë drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, përfshirë edhe Anuela Ristanin – e komanduar prej tij pas arrestimit të Erion Veliajt. Vendimi është bërë i ditur gjatë një takimi me dyer të mbyllura me deputetët e rinj të qarkut të Tiranës dhe drejtues të bashkisë.
Sipas burimeve mediatike, Rama ka kritikuar ashpër performancën e deritanishme të drejtuesve të bashkisë dhe ka kërkuar zëvendësimin e tyre me figura të reja që do të udhëheqin sektorët kryesorë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, ndonëse nuk ka dhënë një afat të saktë për zhvillimin e tyre.
Vendimi për largimin e nënkryetarëve është politik, pasi nga ana ligjore ekzistojnë vetëm dy mënyra për shkarkimin e tyre: dorëheqja vullnetare apo shkarkimi nga vetë kryetari i bashkisë, Erion Veliaj – aktualisht në paraburgim në Durrës. Çdo dorëheqje apo emërim i ri kërkon formalisht firmën e Veliajt.
Takimi ka zgjatur më shumë se një orë dhe Ristani është parë të largohet e para pas përfundimit të mbledhjes. Rama ka përjashtuar vetëm dy sektorë nga kritikat: Policinë Bashkiake dhe Inspektoriatin për Mbrojtjen e Territorit, të cilët i ka vlerësuar pozitivisht.
Në linjë me këtë vendim, kryeministri ka vendosur ngritjen e tri grupeve pune për kontrollin e territorit në Tiranë, të drejtuara nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ministri i Financave Petrit Malaj, si dhe drejtuesit e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe të Planifikimit Urban.
Gjatë këtij mandati të katërt, Rama ka paralajmëruar edhe një fazë të dytë të Rilindjes Urbane, me miratimin e ligjeve të reja për sektorin e ndërtimit. Qeveria do të synojë t’i japë fund abuzimeve me hapësirat publike dhe lejet e ndërtimit, ndërsa ka theksuar se nuk do të ketë legalizime për objektet e ndërtuara për qëllime biznesi pas vitit 2020.
Ky është një tjetër sinjal i fuqishëm se kryeministri po synon ristrukturim të thellë të qeverisjes vendore në kryeqytet, në prag të një reforme të madhe territoriale dhe institucionale.