RTK rrezikon të mbetet pa paga dhe funksionim, për shkak të bllokadës politike

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) rrezikojnë të mbesin pa paga nga muaji korrik, ndërsa vetë funksionimi i mediumit publik është në pikëpyetje. Kjo situatë është pasojë direkte e dështimit për konstituimin e Kuvendit dhe mungesës së themelimit të Komisionit për Buxhet.
Përfaqësuesit e partive politike kanë ndarë fajësinë për krizën e krijuar. Lëvizja Vetëvendosje fajëson opozitën për bllokimin e procesit parlamentar, ndërsa PDK dhe LDK e akuzojnë Vetëvendosjen për lënien e RTK-së pa buxhet.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka refuzuar të japë koment konkret, duke larguar përgjegjësinë nga vetja dhe duke e kaluar atë te Komisioni për Buxhet – i cili ende nuk ekziston.
Artan Abrashi nga VV deklaroi se bllokimi i Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt në aspektin financiar të institucioneve shtetërore.
“Bllokimi i Kuvendit po ka ndikim financiar dhe po prek të gjitha poret e jetës institucionale. Dëmi që i është shkaktuar Republikës sonë ka kapur miliona euro dhe, për fat të keq, kjo po vazhdon në një formë tjetër – si bllokadë politike me pasoja edhe më të mëdha,” tha Abrashi.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, theksoi se mungesa e Komisionit për Buxhet ka bllokuar edhe funksionimin e thesarit të shtetit.
“Është rezultat i moskonstituimit të Kuvendit dhe Komisionit për Buxhet. Pa këtë komision, edhe thesari nuk mund të funksionojë, dhe raportet që duhej të dërgoheshin çdo gjashtë muaj kanë mbetur pezull,” u shpreh Shala.
Edhe Besian Mustafa nga LDK theksoi pasojat serioze që do të ketë kjo situatë jo vetëm për punëtorët, por për gjithë funksionimin e RTK-së.
“Rrezikohen punëtorët që marrin paga nga sektori publik. Por më keq se kaq është fakti që RTK dhe institucionet publike nuk do të mund të zhvillohen, duke mbetur në vendnumëro, çka nuk është dëshirë as e zyrtarëve të RTK-së, as e qytetarëve të Kosovës,” tha Mustafa.
Mungesa e një prone dhe e një sistemi të qëndrueshëm financiar ka qenë problem i vazhdueshëm për RTK-në për më shumë se dy dekada, duke e bërë mediumin publik të pambrojtur ndaj krizave politike.