
Kryeministri Edi Rama thumboi kundërshtarët politikë për zgjedhjet e 11 majit dhe mbështetësit e PD-së që ankohen se regjimi komunist u ka pushkatuar të afërmit apo gjyshërit, ndaj nuk votojnë PS-në.
Kryesocialisti u kujtoi rivalin e tij, Sali Berisha, për të cilin bëri sarkazmë, duke thënë se ka qenë me Partinë e Punës, duke rrëzuar edhe alibinë e demokratëve.
Gjithashtu u dha porosi grave dhe vajzave socialiste që jo vetëm të kishin kujdes nga kunatat, por t’ia merrnin kalanë nga brenda burrave dhe të bindnin shoqet e tyre apo rrethin familjar, edhe po të ishin me ndasi politike, me qëllim që të votonin PS-në.
“Ajo ku më ikën mendja fare është kur thonë, “si t’ia bëjmë mo vlla, më kanë pushkatuar gjyshin”. Sikur unë e Ulsiu i kemi pushkatuar gjyshin. Nuk i kuptoj dot këta të kënetës, s’i kuptoj dot. Kur nga krahu tjetër bufi i kënetës, anëtar i Partisë së Punës. Vite e vite të tëra. Ata e kanë kollaj ta shofin si në rregull për gjyshin, por s’e dinë kur gjyshi shkretë atje rrotullohet në varr kur sheh nipin atje që voton për bufin e kënetës. Por ju që jeni këtu, sa t’ju bëjmë pallatin e sportit me Pjerinin dhe Ulsiut.
Mos iu ndanin rrethit familjar. Sidomos kunatave, me to kujdes aty, kunatat janë më të rrezikshme. Ja e sheh aty si qeshin. Mos iu ndani shoqeve që keni, shoqeve të shoqeve, duhet të organizonin komplotin më të madh që i është bërë ndonjëherë burrave në këtë vend. Puna është t’ia marrim kalanë atyre të tjerëve, e kalaja merret vetëm me gratë, se burrat tanë e dimë. Siç thoshte edhe fabula e Dibrës, janë gratë gurët e poshtëm që lëvizin gurët e epërm të mullirit”, tha kryeministri.