Kosova

Radoiçiç dhe 19 serbë kërkohen për vrasjen e 106 shqiptarëve dhe keqtrajtimin e 300 të tjerëve në Gjakovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 personave të tjerë të nacionalitetit serb, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë viteve 1998-1999 në Gjakovë. Lajmin e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net, përmes dokumentit të gjyqtarit të procedurës paraprake, Lutfi Shala.

Sipas urdhër-arrestit, të pandehurit akuzohen për vrasjen e 106 civilëve shqiptarë dhe keqtrajtimin e mbi 300 të tjerëve në periudhën 7-10 maj 1999, në vendin e njohur si “Ura e Taliqit” në Gjakovë. Trupat e viktimave, pas luftës, u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.

Në dokument thuhet se të dyshuarit, të shoqëruar nga pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuar, kanë hyrë shtëpi për shtëpi duke i nxjerrë civilët me forcë dhe kërcënime, ku më pas burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët dhe u ekzekutuan.

Përveç vrasjeve dhe keqtrajtimeve, raporti i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës thekson se mbi 300 civilë shqiptarë dhe nga komunitetet tjera janë arrestuar dhe mbajtur në kushte çnjerëzore, përpara se të dërgoheshin në burgje të ndryshme në Kosovë dhe më pas në Serbi.

Në kërkesën për lëshimin e urdhër-arrestit, Prokuroria Speciale ka theksuar se të pandehurit nuk kanë adresë banimi në territorin e Kosovës dhe janë të paarritshëm për organet e hetuesisë, duke kërkuar shoqërimin e tyre me forcë, sapo të lokalizohen.

Të dyshuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, e paraparë me ligjin penal të ish-Jugosllavisë dhe të sanksionuar aktualisht në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button