Lajme

Berisha prezanton planin emergjent për shpëtimin e sipërmarrjes shqiptare

Në një takim të zhvilluar pranë një fasonerie në autostradën Tiranë-Durrës, lideri i opozitës, Sali Berisha, prezantoi masat emergjente që, sipas tij, qeveria e ardhshme do të ndërmarrë për të shpëtuar sipërmarrjet shqiptare nga vështirësitë ekonomike.

Berisha theksoi se rënia e euros ka dëmtuar rëndë eksportuesit shqiptarë dhe premtoi kompensim të plotë për çdo humbje të shkaktuar nga kjo rënie. Ndër masat e propozuara, ai njoftoi gjithashtu uljen e çmimit të energjisë për bizneset prodhuese nga 18 lekë në 6 lekë për kWh, duke e konsideruar këtë si një lehtësim të drejtpërdrejtë për sipërmarrjen.

Gjatë fjalës së tij, Berisha denoncoi boshatisjen dramatike të vendit për shkak të emigracionit masiv dhe theksoi nevojën për një politikë të re demografike. Ai shpalli nisma për të nxitur lindjen e fëmijës së tretë, me mbështetje financiare nga lindja deri në moshën 23-vjeçare, si dhe plane për të rikthyer të rinjtë shqiptarë që kanë emigruar.

“Ne do të bëjmë një revolucion fiskal për të krijuar klimën më miqësore për biznesin. Motoja jonë do të jetë prodhim, prodhim, prodhim, sepse prodhimi është punësim, të ardhura dhe zhvillim”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi gjithashtu se, në bashkëpunim me sipërmarrjen, shteti do të mbështesë trajnimet profesionale dhe do të krijojë lehtësira fiskale për fuqinë punëtore. Berisha akuzoi qeverinë aktuale për injorimin e krizës së euros dhe për marrëveshje të dyshimta mes grupeve të interesit dhe pushtetit, duke sjellë, sipas tij, rënie të vazhdueshme të prodhimit industrial dhe eksportit në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button