Qinami, fshati i braktisur nga të rinjtë dhe institucionet: Premtimet mbeten fjalë boshe

Qinami, një nga fshatrat e njohur të Kolonjës që dikur numëronte mbi 160 familje, sot është katandisur në rreth 70. Shumica e të rinjve janë larguar drejt qyteteve apo jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë, pasi në fshat mungon çdo mundësi punësimi, zhvillimi dhe përparimi. Vetëm një çerek i popullsisë ka mbetur në vendlindje, ndërsa pjesa tjetër është shpërngulur, duke lënë pas një komunitet të plakur dhe një realitet të zymtë.
Problemet në fshat janë të shumta dhe shqetësuese. Rrugët e brendshme janë të shkatërruara dhe të pakalueshme, mungojnë investimet në infrastrukturë, dhe kanalizimet e ujërave të zeza derdhen në përrenj, kanale sipërfaqësore apo gropa septike, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik. Plehrat janë të shpërndara në çdo cep të fshatit, pasi mungon një sistem i organizuar për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Pavarësisht këtyre kushteve alarmante, Bashkia e Kolonjës nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për përmirësimin e situatës. Kryetari i bashkisë, Erion Isai, shfaqet vetëm gjatë fushatave elektorale për të kërkuar votat e banorëve, duke dhënë premtime që nuk janë mbajtur asnjëherë. Ai dëgjon shqetësimet e tyre, por nuk vepron, duke e zhytur fshatin në harresë.
Banorët e Qinamit ndihen të tradhtuar dhe të harruar nga institucionet. Ata kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që premtimet të kthehen në veprime konkrete, për t’i rikthyer dinjitetin një komuniteti që sot jeton në skaj të mbijetesës.