Lajme

Krim i rëndë në Shkodër: Turistja amerikane vritet nga bashkëshorti në banesën me qira

Një ngjarje tronditëse është regjistruar paraditen e së premtes në qytetin e Shkodrës, ku një turiste amerikane është vrarë me mjet prerës nga bashkëshorti i saj. Viktima është identifikuar si Sandra Saporito, 54 vjeçe, ndërsa autori i dyshuar është bashkëshorti i saj, Brendon Saporito, 57 vjeç.

Sipas burimeve të policisë, çifti amerikan ndodhej në Shqipëri që nga fundi i muajit mars dhe kishte vizituar disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën dhe zona të tjera turistike. Në rrjetet sociale ata kishin ndarë foto dhe video ku shfaqeshin të lumtur dhe të qetë gjatë pushimeve të tyre.

Krimi ndodhi në një banesë me qira në qytetin e Shkodrës, ku çifti ishte vendosur së fundmi. Sipas hetimeve paraprake, autori ka qenë në gjendje të dehur në momentin e krimit dhe ka pësuar dëmtime në duar, për të cilat është marrë ndihmë mjekësore.

Policia ka arrestuar menjëherë autorin dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në qytet dhe ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, për shkak të natyrës së rëndë dhe faktit që viktima ishte turiste në vendin tonë.

Autoritetet po bashkëpunojnë me ambasadën amerikane për procedurat e mëtejshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button