Qeveria në detyrë shpenzon mbi 1.3 milionë euro për vetura zyrtare, tenderë edhe për kompani të afërta me Kurtin

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka shpërblyer me një tender kompaninë “Mercom Company”, e cila, sipas raportimeve, ka lidhje të afërta me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Vetëm pak ditë më parë, edhe Dogana e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë tjetër me këtë kompani.
Ndërkohë, raportimet e FrontOnline tregojnë se vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025 (janar–qershor), disa ministri të Qeverisë “Kurti” kanë shpenzuar mbi 1.3 milionë euro për blerjen e veturave zyrtare, pavarësisht se qeveria është me mandat të kufizuar.
Sipas raportit gjashtëmujor të buxhetit, shpenzimet për vetura janë si vijon:
- Ministria për Kthim dhe Komunitete – 160,000 €
- Ministria e Zhvillimit Rajonal – 100,000 €
- Ministria e Jashtme – 200,000 €
- Ministria e Financave – 430,000 €
- Ministria e Bujqësisë – 54,000 € (për inspektoratin e AUV-së)
- Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës – 240,000 € (për terren dhe testim kandidatëve)
- Ministria e Brendshme – 100,000 €
Përveç ministrive, edhe institucionet më të larta shtetërore kanë ndjekur të njëjtën praktikë. Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës kanë shpenzuar gjithsej 332,000 € për vetura zyrtare. Nga kjo shumë, Kuvendi i Kosovës ka blerë automjete në vlerë prej 212,000 €, ndërsa Zyra e Presidentes Vjosa Osmani ka shpenzuar 120,000 € për automjete të përdorura në delegacione protokollare.
Këto shpenzime të larta për vetura zyrtare, krahas shpërblimit me tenderë të një kompanie të afërt me kryeministrin në detyrë, kanë ngjallur reagime për mënyrën se si po menaxhohet buxheti publik nga ekzekutivi aktual.