Qeveria e Kosovës ndan 500 mijë euro për krizën humanitare në Gaza

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka ndarë 500 mijë euro si ndihmë emergjente për popullin palestinez në Rripin e Gazës, në përgjigje të krizës humanitare që po thellohet për shkak të luftimeve të vazhdueshme.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës janë thellësisht të shqetësuara për situatën dramatike në Gaza dhe dënojnë çdo sulm që rezulton me viktima në mesin e civilëve, veçanërisht të fëmijëve.
“Fëmijët janë ata që po përballen me pasojat më të rënda të kësaj lufte, edhe pse nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për konfliktin. Qeveria jonë ka ndarë tashmë gjysmë milioni euro nga buxheti i saj si mbështetje për popullin palestinez në Gaza,” deklaroi Kurti.
Ai theksoi gjithashtu se Kosova mbështet përpjekjet e partnerëve ndërkombëtarë për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, i cili do të mundësonte dërgimin e ndihmave humanitare, lirimin e pengjeve dhe krijimin e kushteve për një zgjidhje të përhershme midis izraelitëve dhe palestinezëve.