Kurti: Serbia po synon destabilizimin e Kosovës, por institucionet tona po reagojnë me sukses

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizimin e vendit, por ka theksuar se institucionet e inteligjencës dhe të sigurisë po i kundërvihen me efikasitet.
“Ndërkohë që ne po angazhohemi për thellim e forcim të partneriteteve me shtetet aleate, demokratike e paqedashëse, fqinji ynë agresiv, Serbia, po i vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë. Mirëpo, institucionet e inteligjencës dhe sigurisë të Republikës së Kosovës janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve”, u shpreh Kurti.
Ai përmendi edhe rastin e fundit të arrestimit të Bojan Jevtiq, toger në Policinë e Kosovës, i cili sipas kryeministrit është ndaluar në korrik mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi kundër shtetit të Kosovës.
Deklarata e Kurtit vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ai tha se institucionet vendore mbeten të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.