Pushimet e verës nisin qetë: Pa pritje të gjata në pikat kufitare të Kosovës

Me fillimin e sezonit të pushimeve, bashkatdhetarët kanë nisur të vijnë në Kosovë për të kaluar verën pranë familjarëve të tyre. Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë pikat kufitare nuk po përballen me fluks të madh apo kolona të gjata automjetesh.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, të përditësuara sot në orën 09:00, në të gjitha pikë-kalimet kufitare të Kosovës pritjet nuk i kalojnë 5 minutat.
Në pikën më të frekuentuar, atë në Merdarë, pritjet për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova variojnë nga 3 deri në 5 minuta. E njëjta situatë është raportuar edhe në pikën kufitare në Dheu i Bardhë.
Autoritetet thonë se janë në gatishmëri për të menaxhuar çdo rritje të fluksit në ditët në vijim, ndërsa iu bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi përmes platformave zyrtare, në mënyrë që të shmangin vonesat e panevojshme.