Haxhiu: VV dhe NISMA kanë vullnet për bashkëpunim, por ende asgjë konkrete – nuk pritet konstituimi i Kuvendit

Kandidatja për kryetare të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ekziston një vullnet i përbashkët ndërmjet VV-së dhe NISMËS për të bashkëpunuar, por se ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.
Para nisjes së seancës së 47-të konstituive të Kuvendit, Haxhiu ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojë një takim me kreun e NISMËS, Fatmir Limaj, për të diskutuar rreth bashkëpunimit të mundshëm.
“Kryetari jonë, kryeministri Albin Kurti, do të ketë takim me kryetarin Limaj. E kemi bërë të qartë që kemi vullnet nga të dyja palët që të vazhdojmë bashkëpunimin, por që ende nuk ka asgjë konkrete”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Haxhiu nuk ka pritur ndonjë zhvillim pozitiv sa i përket konstituimit të Kuvendit. Ajo ka theksuar se qëndrimet e opozitës nuk kanë ndryshuar dhe se situata vazhdon të jetë e njëjtë.
“Nuk besoj që do të ketë qëndrim as sot. I kemi përcjellë qëndrimet e opozitës, nuk është se ata kanë ndryshuar, dhe sot, kushdo që vjen në seancë, do të votojë sipas përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe sipas asaj që thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj që do të ketë ndryshim të situatës, fatkeqësisht”, ka përfunduar ajo. /EO/