Punëtorët e RTK-së pa paga: “Në punë jo për bukë, por për dinjitet”

Në mungesë të një Kuvendi funksional dhe për rrjedhojë edhe të vendimeve buxhetore, punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë mbetur pa paga për muajin korrik. Megjithatë, ata kanë vazhduar të paraqiten në punë – një veprim që drejtori i këtij mediumi, Rilind Gërvalla, e ka cilësuar si akt të ndërgjegjes dhe qëndresës morale.
“Punëtori i vërtetë i RTK-së u ngrit nga gjumi jo sepse e thirri ora, por sepse e thirri ndërgjegjja e pastër. Jo për të fituar kafshatën e bukës, por për të qëndruar. Jo për të përfituar diçka materiale, por për të mos e humbur diçka shumë më të thellë: dinjitetin”, shkroi Gërvalla në një postim emocional në rrjetet sociale.
Ai vlerësoi sakrificën e punëtorëve, të cilët – sipas tij – kanë punuar me përkushtim për 26 vjet me radhë, pa përfshirje në afera, dhe tani përballen me pasiguri totale për shkak të krizës institucionale.
Drejtori i RTK-së theksoi se në ambientet e punës nuk ka më as pritje për paga dhe as frustrim, por një heshtje të thellë, të krahasueshme me atë të faltoreve. “Si në manastire a xhami, ku besimtarët nuk presin pagë për lutjet e tyre. Si në teatro, ku aktorët vazhdojnë të luajnë edhe kur salla është gjysmë bosh. Si në ara, ku bujku e punon tokën jo sepse dikush e sheh, por sepse toka nuk pret”, u shpreh ai.
Pavarësisht situatës, Gërvalla nuk adresoi kritika direkte ndaj Qeverisë në detyrë, por vuri në pah pritjen që ajo të mbajë një mbledhje për të marrë një vendim rreth ndarjes së mjeteve për pagat e punëtorëve të RTK-së.
Në fund të postimit, ai e përmblodhi qëndrueshmërinë e stafit të RTK-së si një akt simbolik, që përçon një pyetje të thellë ndaj sistemit:
“Nëse unë jam këtu – pa pagesë, pa siguri, pa motiv – kush jam unë në sytë tuaj?”
RTK është një nga institucionet publike që vuan drejtpërdrejt pasojat e bllokadës politike në vend, ndërsa zgjidhja mbetet në pritje të një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit të ri dhe funksionalizimin e qeverisjes.