Kosova

Punëtor i Trepçës dënohet me ulje page për shkak të fjetjes në vendin e punës

Një punëtor i ndërmarrjes publike “Trepça” është dënuar me masën disiplinore të uljes së pagës mujore për pesë muaj, pasi është kapur duke fjetur gjatë orarit të punës.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në faqen e Trepçës në Facebook, më 6 gusht është mbajtur një shqyrtim publik nga Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes, i cili ka konstatuar se punëtori me inicialet A.A. ka kryer një shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Në vendimin e komisionit thuhet se është shkelur neni i Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A, i cili ndalon fjetjen në vendin e punës gjatë orarit zyrtar.

Fillimisht, Komisioni Disiplinor kishte propozuar një ulje page prej 30 për qind për gjashtë muaj, por më 7 gusht, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes ka miratuar një masë të zbutur, duke përcaktuar uljen për një periudhë pesëmujore.

Në njoftim thuhet se masa është në përputhje të plotë me rregulloren në fuqi dhe ka për qëllim ruajtjen e disiplinës dhe përgjegjësisë në vendin e punës.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button