Tërmet me magnitudë 4.7 godet Greqinë jugore, ndihen lëkundje në disa qytete

Një tërmet me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter ka goditur sot në mesditë Greqinë jugore, duke shkaktuar shqetësim në disa qytete të rajonit të Peloponezit. Sipas të dhënave zyrtare, lëkundjet sizmike u regjistruan në orën 12:49 me orën lokale, me epiqendër 11 kilometra në veriperëndim të qytetit Messíni dhe rreth 126 kilometra në jug-juglindje të Patrës.
Tërmeti ndodhi në një thellësi të vogël prej vetëm 5 kilometrash, duke e bërë atë më të ndjeshëm në sipërfaqe. Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar.
Autoritetet greke kanë deklaruar se po monitorojnë situatën me kujdes dhe janë në gatishmëri për çdo pasgoditje të mundshme. Lëkundjet janë ndier edhe në qytete të tjera përreth, duke përfshirë zona të banuara të Peloponezit.