“Puna duhet të paguhet”: Gjermania përballet me rritje të varësisë nga ndihmat sociale, pavarësisht rritjes së pagës minimale

Në Gjermani, një nga vendet më të fuqishme ekonomikisht në Evropë, gjithnjë e më shumë punonjës me orar të plotë po varen nga ndihmat sociale, pavarësisht rritjes graduale të pagës minimale. Kancelari Friedrich Merz ka paralajmëruar një reformë të thellë të sistemit të ndihmave “Bürgergeld”, duke ritheksuar parimin konservator: “Puna duhet të paguhet mirë”.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2024, rreth 826,000 punëtorë në Gjermani varen nga ndihmat sociale për të mbuluar nevojat bazë – një rritje me 30,000 persona krahasuar me vitin paraprak, dhe për herë të parë që nga kriza e refugjatëve të vitit 2015 që ky numër shënon rritje.
Shifrat shqetësuese tregojnë se edhe rritja e pagës minimale në 12,82 euro për orë nuk ka pasur efekt të ndjeshëm në zbutjen e varfërisë në mesin e të punësuarve. Edhe me planin e ri për rritjen graduale të saj në 14.60 euro deri në vitin 2027, shumë ekspertë dhe politikanë kritikë shprehen se kjo nuk mjafton.
Deputeti i së majtës, Cem Ince, e konsideron këtë situatë “të papranueshme” dhe thotë se “qindra mijëra njerëz që punojnë nuk mund të jetojnë pa ndihma sociale – kjo është mbështetje shtetërore për pagat e ulëta”.
Problemi kryesor, sipas ekonomistëve, nuk qëndron vetëm te paga minimale, por edhe te orët e pakta të punës që realizojnë shumë prej këtyre punëtorëve. Nga 826,000 përfitues të ndihmës, vetëm rreth 81,000 janë të punësuar me orar të plotë. Të tjerët punojnë pjesërisht, janë në trajnim apo përballen me sfida familjare, si mungesa e kujdesit për fëmijët.
Një tjetër problem është edhe abuzimi me sistemin, ku ndërmjetës punësojnë punëtorë nga vendet më të varfra të BE-së si Rumania e Bullgaria, me orar të shkurtuar dhe paga minimale, duke përfituar më pas ndihmat sociale si plotësim të të ardhurave.
Megjithatë, sipas organizatave sociale si “Sanktionsfrei”, ulja e ndihmave shtetërore nuk është zgjidhje. “Njerëzit duhet të fitojnë më shumë, jo të penalizohen më shumë. Ulja e ndihmave krijon konkurrencë mes më të varfërve”, thekson themeluesja Helena Steinhaus.
Sipas saj, problemet me pagat e ulëta lidhen drejtpërdrejt edhe me kostot në rritje të jetesës, sidomos qiratë, të cilat në Berlin janë rritur mesatarisht me 8.5 përqind vetëm vitin e kaluar.
Ndërsa kancelari Merz paralajmëron reformën e “Bürgergeld”, betejat politike për balancimin e punës së ndershme me mirëqenien sociale pritet të ashpërsohen. Qeveria do të përballet me sfidën se si të garantojë që puna të jetë realisht një rrugëdalje nga varfëria – dhe jo vetëm një iluzion burokratik.