Zyrtari i lartë amerikan viziton Kosovën – Takime me liderët institucionalë dhe opozitarë në një kohë vendimtare për rajonin

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Europiane, Brendan Hanrahan, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Kosovë, si pjesë e një turi rajonal që përfshin edhe Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Vizita vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe historik për Ballkanin Perëndimor.
Në një postim në platformën X, Hanrahan deklaroi se po udhëton në rajon pas bisedimeve produktive në Dejton dhe Uashington. “Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon,” shkroi ai më 9 korrik.
Në Kosovë, Hanrahan pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të partive parlamentare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar takimin përmes KosovaPress, duke bërë të ditur se për shkak të një udhëtimi, LDK-në do ta përfaqësojë nënkryetarja Hykmete Bajrami.
Vizita e tij në Prishtinë pason takimin që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani në Washington. Pas këtij takimi, Osmani deklaroi se është ritheksuar përkushtimi për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë. Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.
Vizita e Hanrahan në rajon përkon edhe me 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ngjarje që mbetet plagë e hapur në historinë e Ballkanit dhe e cila thekson rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Pas Kosovës, Hanrahan do të vazhdojë vizitën e tij në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Ai pritet të diskutojë çështje kyçe të sigurisë, bashkëpunimit rajonal dhe angazhimit euroatlantik në një periudhë sfiduese për rajonin.