Protestë e pazakontë në Hotolisht: Banorët sjellin arkivol kundër ndërtimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë

Banorët e fshatit Hotolisht kanë zgjedhur një formë të pazakontë proteste kundër ndërtimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, duke sjellë një arkivol në demonstratë si simbol të “vdekjes” së vendbanimit të tyre.
“Hotolishti është gati të përgjigjet, ose ne, ose ju”, thuhet në një pankartë të vendosur pranë arkivolit, që është vendosur në qendër të protestës.
Tensionet kanë qenë të larta gjatë protestës, e cila është shoqëruar me përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë. Banorët janë ulur në mes të rrugës për të bllokuar trafikun, ndërsa në demonstratë kanë marrë pjesë edhe fëmijët, duke treguar përmasat e shqetësimit në komunitet.
Banorët shprehen të vendosur për të vijuar protestën, duke kundërshtuar ashpër ndërtimin e rrugës që, sipas tyre, rrezikon jetesën dhe pronat e tyre. Autoritetet ende nuk kanë bërë një reagim zyrtar për situatën.