Lajme

Arla Merja: Bujqësia shqiptare në kolaps – Koalicioni PD-ASHM ofron zgjidhjen

Zëdhënësja e fushatës së Partisë së Lirisë, Arla Merja, ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me situatën e rëndë të bujqësisë në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për dështim të plotë në mbrojtjen e fermerëve dhe në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral.

Merja ngriti shqetësimin se, pas nënshkrimit të nismës “Ballkani i Hapur”, mijëra ferma shqiptare kanë falimentuar, ndërsa prodhimi vendas ka rënë ndjeshëm. Sipas saj, 80% e produkteve bujqësore dhe blegtorale në tregun shqiptar janë aktualisht të importuara, ndërkohë që bujqësia, që kontribuon me 19% në PBB, përfiton vetëm 0.5% të saj nga buxheti i shtetit.

Në këtë kontekst, ajo prezantoi programin ambicioz të koalicionit PD-ASHM “Made in Albania – për Shqipërinë Madhështore”, që synon rritjen me 50-100% të prodhimit bujqësor dhe blegtoral përmes 20 masave konkrete.

Ndër pikat kryesore të këtij programi janë:

Rritja e subvencioneve direkte për fermerët në nivelin 3.5% të PBB-së, që përkon me 217 milion euro.

Dalja nga Ballkani i Hapur dhe orientimi drejt Procesit të Berlinit.

Subvencione për fidanë, kokë bagëti, naftë dhe interesa për kredi bujqësore.

Krijimi i një agjencie për studimin e tregjeve dhe orientimin e fermerëve.

Ristrukturim i AKU dhe përforcim i sigurisë ushqimore si çështje e sigurisë kombëtare.

Programi parashikon gjithashtu mbështetje për fermerët e rinj me kredi pa interes, rritje të infrastrukturës bujqësore dhe analiza falas të tokës. Merja theksoi se ky është një moment vendimtar për të shpëtuar bujqësinë shqiptare dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë Nr. 1 më 11 maj, për një Shqipëri të fortë dhe të zhvilluar nën udhëheqjen e Ilir Metës dhe koalicionit PD-ASHM.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button