Lajme

Protesta në Hotolisht: Banorët akuzojnë qeverinë për arrogancë dhe mungesë transparence në lidhje me Korridorin VIII

Banorët e Hotolishtit në Librazhd u mblodhën sërish këtë të mërkurë në një protestë kundër mënyrës si po zbatohet projekti i Korridorit VIII, duke denoncuar mungesën e reagimit nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ata shprehën shqetësimin për mungesën e transparencës dhe ndikimin që ndërtimi i rrugës pritet të ketë në pronat dhe jetën e tyre.

Në protestë mori pjesë edhe kandidati për deputet i opozitës, Ilirjan Alliu, i cili deklaroi se “kjo është një rrugë pa projekt”, duke shtuar se askush nuk ka informacion se ku do të kalojë aksi rrugor. “E di vetëm Belinda Balluku”, u shpreh ai.

Alliu kritikoi ashpër qëndrimin e qeverisë, të cilën e cilësoi “abuzive dhe arrogante”. Ai paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen, pasi shumë prej familjeve janë të rrezikuara drejtpërdrejt nga projekti. “Janë të njëjtët që dikur hodhën gaz lotsjellës në unazën e Tiranës, edhe në shtëpitë ku kishte fëmijë,” tha ai.

Sipas tij, data 11 maj pritet të jetë vendimtare, pasi banorët do të dorëzojnë kërkesat e tyre zyrtarisht, me shpresën se do të marrë fund përplasja me autoritetet. “Zgjidhja duhet të vijë në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe në raport të drejtë me vlerën e pronës së qytetarëve, si dhe me lejen e komunitetit për çdo investim madhor,” përfundoi Alliu.

Protestuesit kanë paralajmëruar vazhdimin e reagimeve nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button