Stojanoviq padit Dodikun për nxitje urrejtjeje kombëtare dhe fetare

Nënpresidenti i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Igor Stojanoviq, ka dorëzuar një padi penale në Zyrën e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës ndaj presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.
Padia vjen pas deklaratave të Dodikut më 29 prill, ku ai, në një intervistë, sugjeroi se “zgjidhja për Bosnje e Hercegovinën” do të ishte që boshnjakët të ktheheshin në fenë e paraardhësve të tyre, duke e konsideruar këtë një hap drejt krijimit të një shteti me shumicë serbe. Këto komente janë cilësuar si mohim i identitetit të boshnjakëve dhe si nxitëse të urrejtjes ndëretnike.
Sipas Stojanoviqit, deklaratat e Dodikut përbëjnë shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës, të garantuara nga Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare. Ai tha se ka një obligim institucional dhe moral për të reaguar, duke theksuar se “heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është opsion”.
Në deklaratën e tij për media, Stojanoviq theksoi se Bosnje e Hercegovina është një shtet që mbështetet në vlerat e lirisë dhe barazisë, dhe se mbrojtja e dinjitetit të çdo qytetari është një akt patriotizmi.
Kodi Penal i Bosnje e Hercegovinës ndalon nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore apo fetare, dhe parashikon dënime me burg për veprime të tilla. Ky zhvillim ndodh në një klimë të tensionuar politike në vend, ku Dodik dhe zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska janë tashmë nën hetim për veprime që rrezikojnë rendin kushtetues të shtetit.