Prokuroria ngre aktakuzë ndaj avokatit A.T. për keqpërdorim të besimit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit A.T., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”, në kundërshtim me nenin 330 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri, në cilësinë e avokatit, ka keqpërdorur me dashje autorizimet e tij, me qëllim që vetes t’i sjellë dobí pasurore të kundërligjshme, në dëm të pasurisë së kompanisë “U.” SH.P.K., me pronar Xh.K.
Hetimet tregojnë se A.T., gjatë përfaqësimit të interesave pasurore të të dëmtuarit në procedurën për rritjen e vlerës së shpronësimit, nuk e ka respektuar marrëveshjen gojore për shpërblimin, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme një shumë të caktuar të hollash nga kompensimi i ndarë nga ministria përkatëse. Me këto veprime, i dëmtuarit dyshohet se ka pësuar dëm material në shkallë të madhe.
Prokurori i shtetit ka propozuar që ndaj të pandehurit A.T. të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”.
“Prokurori i shtetit vazhdon të jetë i determinuar në ndjekjen dhe vënien para drejtësisë të kryerësve të veprave penale në përgjithësi, e të atyre të kësaj natyre në veçanti, me qëllim të krijimit të një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.



