Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për Fatmir Shehollin – dyshohet se ka spiunuar për shërbimin sekret serb

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimin se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dhe ka vepruar sipas urdhrave të zyrtarit serb, Bojan Dimic.
Sipas dosjes së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sheholli dyshohet se ka mbledhur informacione për pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka përcjellë ato tek BIA përmes komunikimeve telefonike.
Prokuroria thekson se, sipas planeve të Dimicit, më 26 shtator 2025 në Mitrovicë të Veriut, Sheholli kishte marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat dyshohet se ishin komprometuese. Ai gjithashtu kishte pranuar një shumë të hollash si shpërblim për publikimin e këtyre materialeve në disa media online në Kosovë.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka ndihmuar shërbimin sekret serb duke cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.
Gjatë bastisjes së kryer nga Policia e Kosovës më 9 tetor 2025, në banesën e Shehollit janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente dhe sende të tjera, të cilat do të dërgohen për ekzaminim.
Fatmir Sheholli dyshohet se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, sipas nenit 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.



