Kosova

Prokuroria e Pejës nis hetimet për pretendimet e manipulimeve me vota në Junik

Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetimet pas pretendimeve se në Komunën e Junikut kanë votuar persona që nuk janë banorë të kësaj komune. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, i cili tha se me të marrë informacionet për këto dyshime, prokuroria është vënë menjëherë në veprim.

“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës së Junikut, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj. Lumturije Vuçetaj, ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar një prokuror nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme”, ka deklaruar Nikçi.

Këto pretendime u bënë publike fillimisht nga Daut Haradinaj, i cili në emisionin Pressing të mërkurën kërkoi që organet e drejtësisë të hetojnë urgjentisht rastin.

“Ne Junik edhe matje edhe statistika, edhe njohës të asaj zone, jemi të befasuar e të çuditur për këtë rezultat, për këtë pjesëmarrje kaq të madhe. Pjesëmarrja është pak e dyshimtë sipas meje — aty ka ndodhur një skemë kriminale, njerëzit që nuk jetojnë fare aty, as nuk e dinë ka i bie Juniku, janë bërë votues të Junikut”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se ka vërejtur mbiemra që sipas tij nuk ekzistojnë në Junik.
“Për shembull mbiemrat Mustafa, Zeqiraj, Alimusaj, Tolaj, Latifaj, Delijaj, Lokaj, Nitaj, Mazreku, Selimaj, Daci, Zaimi, Dabiqaj, Bozhdaraj, Zejnaj, Asllanaj, Alimehaj, Sadrijaj, Shabani, Blakaj, Bahtijari, Musa – këta mbiemra në Junik kurrë s’kanë ekzistu”, ka theksuar ai.

Hetimet e Prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse këto pretendime për manipulim me vota qëndrojnë dhe nëse ka pasur elemente penale gjatë procesit zgjedhor në këtë komunë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button