Kosova

Rama akuzon Vetëvendosjen për “ngatërrim marrëdhëniesh institucionale me çorbën e balotazheve komunale”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me qëndrimet e tij për Gjykatën Speciale dhe protestën e paralajmëruar për të premten në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një postim në platformën X, Rama akuzoi LVV-në se po i përzien “marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”. Ai kujtoi se që para 10 vjetësh e kishte “denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve”, ndërsa sipas tij, “Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja”, shkroi Rama.

Ai shtoi se në atë kohë, Vetëvendosje “nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.

“Unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale… Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Sa i përket protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, Rama tha se e mbështet “me gjithë zemër”, por nuk do të marrë pjesë për të shmangur politizimin e saj.

“Unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare ‘Drejtësi për Çlirimtarët’, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, u shpreh Rama.

Reagimi i tij erdhi pas një deklarate të Vetëvendosjes, e cila akuzoi Ramën për qëndrime të gabuara në të kaluarën dhe kujtoi se “kishte ardhur në Kosovë me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale”.

LVV tha se institucionet shqiptare, si anëtare të OKB-së, Këshillit të Evropës, OSBE-së, NATO-s dhe pranë BE-së, “kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë”.

Protesta pritet të mbahet të premten në orën 17:00 në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button