Procesi i Berlinit: BE premton më shumë dinamikë për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2029

Në kuadër të Procesit të Berlinit, në Belfast të Irlandës së Veriut u zhvillua një takim dyditor me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u theksua rëndësia e reformave dhe e pajtimit rajonal për afrimin me Bashkimin Evropian. Takimi u mbajt në kështjellën historike Hillsborough, simbol i procesit të pajtimit në Irlandën e Veriut pas Marrëveshjes së së Premtes së Pashkës më 1998.
Ministrja e Jashtme britanike theksoi se “siguria e Ballkanit Perëndimor ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e Evropës dhe të Mbretërisë së Bashkuar”. Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në procesin e integrimit mund të rrisin ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, duke theksuar se “deri në vitin 2029 mund të ketë më shumë dinamikë në procesin e anëtarësimit”.
Edhe pse BE kishte dhënë një premtim për anëtarësim vendeve të Ballkanit Perëndimor që në Samitin e Selanikut në vitin 2003, vetëm Sllovenia dhe Kroacia janë tashmë anëtare të plotë, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen më të avancuara në negociatat e anëtarësimit.
Procesi i Berlinit, i nisur nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, ka për qëllim përgatitjen e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ky format, i cilësuar si “koalicioni i të vullnetshmëve”, përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, disa shtete të BE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, rruga drejt BE-së mbetet e vështirë për shkak të korrupsionit, mungesës së shtetit ligjor, konflikteve të pazgjidhura bilaterale – sidomos atij ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – si dhe emigracionit masiv të të rinjve. Ndërkohë, Serbia vazhdon të ruajë lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën, përfshirë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Pekinin dhe bashkëpunimin me shërbimet ruse të sigurisë.
Në takimin e Belfastit u vendos gjithashtu të investohen 5 milionë euro për mbrojtje kibernetike dhe luftën kundër dezinformimit, si dhe 11.5 milionë euro për programet që synojnë parandalimin e migracionit ilegal përmes itinerarit ballkanik.
Këto janë hapa që, sipas organizatorëve, synojnë të tregojnë se “Evropa nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor”. Takimi i radhës i Procesit të Berlinit do të zhvillohet më 22 tetor në Londër./DW



