Prishtinë, arrestohet 24-vjeçarja e dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare

Policia e Kosovës ka njoftuar sot për arrestimin e një 24-vjeçareje me inicialet A.G. në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të kartelave bankare.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, pas një pune hetimore dhe operacionale, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarën, e cila dyshohet për disa raste të lidhura me këtë vepër penale.
“Njësiti i Hetimeve të Kryeqytetit ka realizuar me sukses punën hetimore, duke arrestuar të dyshuarën A.G., 24 vjeç, dhe në koordinim me prokurorin është iniciuar rast për veprën penale ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’”, thuhet në komunikatën e policisë.
Policia theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të personave të dyshuar, ndërsa apeloi te qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në mbrojtjen e të dhënave personale dhe bankare.



