Presidentja Osmani viziton Letoninë, falënderon presidentin Rinkēvičs për mbështetjen ndaj Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë zyrtare në Letoni me ftesë të presidentit letonez, Edgars Rinkēvičs. Gjatë pritjes zyrtare, Osmani ka publikuar një fotografi nga takimi dhe ka shprehur mirënjohjen për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që Letonia i ka dhënë Kosovës.
“Faleminderit Presidentit Rinkēvičs për pritjen e ngrohtë dhe miqësinë e palëkundur ndaj Kosovës! 🇽🇰 🤝 🇱🇻”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë qëndrimit të saj në Riga, Presidentja Osmani ka zhvilluar një takim tête-à-tête me homologun letonez, si dhe një takim pune me delegacionet respektive. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në një drekë pune të shtruar nga Presidenti Rinkēvičs.
Në përmbyllje të takimeve, dy presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media. Gjatë saj, Presidentja Osmani do t’i dorëzojë Presidentit Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale, në emër të Forcave Mbrojtëse të Letonisë, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre në paqen dhe sigurinë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.