Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës ambasadorin finlandez Matti Nissinen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e ambasadorit Nissinen në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, duke theksuar angazhimin e tij për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe të bazuar në vlera demokratike.
Osmani veçoi si moment të rëndësishëm vizitën bilaterale në Finlandë, duke e cilësuar si dëshmi të miqësisë dhe respektit të ndërsjellë mes dy shteteve.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në vend, përfshirë konstituimin e institucioneve të reja, ndërsa u ritheksua mbështetja e Finlandës për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.
Në fund, Presidentja Osmani falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin dhe përfaqësimin e denjë të Finlandës në Kosovë, duke i uruar suksese në angazhimet e tij të ardhshme.