Kosova
Kryesore

Presidentja Osmani kujton 2 Korrikun e vitit 1990 si moment themelor në historinë e shtetndërtimit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot me krenari 2 Korrikun e vitit 1990, duke e cilësuar këtë datë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit të vendit.

Përmes një postimi zyrtar në Facebook, Osmani ka rikujtuar Deklaratën Kushtetuese të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, e cila u bë para dyerve të mbyllura dhunshëm nga regjimi serb.

“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë. Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë,” ka shkruar presidentja.

Ajo thekson se kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themeli i shtetësisë së Kosovës, duke nderuar përjetësisht delegatët e 2 Korrikut, si trasues të ëndrrës për një Kosovë të lirë dhe sovrane.

2 Korriku i vitit 1990 shënon shpalljen e Deklaratës Kushtetuese, një hap kyç drejt pavarësisë së Kosovës dhe një simbol të rezistencës ndaj shtypjes së regjimit serb në atë periudhë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button