Presidentja Osmani dënon thirrjet antishqiptare në Kumanovë: “Sporti nuk duhet të bëhet platformë urrejtjeje”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë. Në këtë ndeshje, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë të lartë të shtetit maqedonas, nga tribunat u dëgjuan parulla si “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.
Osmani i cilësoi këto thirrje si “të papranueshme” dhe si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj frymës së bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë në një shoqëri demokratike.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër,” theksoi ajo në një deklaratë publike.
Presidentja shprehu shqetësim të thellë për mungesën e reagimit nga ana e zyrtarëve shtetërorë maqedonas, përfshirë edhe kryeministrin Hristjan Mickoski, të cilët ishin të pranishëm në ndeshje.
“Më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë,” u shpreh Osmani.
Ajo theksoi se sporti duhet të shërbejë si mjet bashkimi, jo si platformë për përhapjen e ideologjive të urrejtjes dhe ndarjes, duke bërë thirrje për masa urgjente nga autoritetet maqedonase.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve dhe nxitësve të urrejtjes, duke mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës si vlera themelore të një shteti që synon integrimin në BE,” tha Osmani.
Në fund, Presidentja theksoi se Kosova do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.