Zyrtarët e lartë amerikanë vizitë zyrtare në Kosovë, theksohet partneriteti mbrojtës SHBA-Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka konfirmuar vizitën zyrtare të Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, David Baker, dhe Gjeneralit Chris McKinney në vendin tonë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, zyrtarët amerikanë zhvilluan takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ministrin e Mbrojtjes, si dhe me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe atë të KFOR-it.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se Baker përforcoi angazhimin e SHBA-ve për partneritetin mbrojtës me Kosovën dhe nënvizoi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Gjithashtu, gjatë vizitës së tij, zyrtari amerikan vizitoi kampin ushtarak Bondsteel, ku u takua me trupat amerikane të vendosura në Kosovë.