Kosova

Prattipati e zhgënjyer me Kurtin: Deklaratat e tij ndaj Kushtetueses rrisin paqëndrueshmërinë në Kosovë

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar për pasojat e tyre.

Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti e kishte quajtur Gjykatën Kushtetuese “hije politike të opozitës” pas vendimit të saj për të vendosur masë të përkohshme që ndalon veprimet e deputetëve dhe procedurat për formimin e qeverisë së re deri në fund të shtatorit.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka theksuar Prattipati për Kohën.

Ajo ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar me kujdes përgjigjen e tyre: “Çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”.

Kurti, nga ana tjetër, ka akuzuar Kushtetuesen për vonesa në formimin e institucioneve, duke thënë se gjykata i ka lënë “120 deputetë të vegjetojnë për 24 ditë”. Ai ka nënvizuar se shumica e gjyqtarëve të Kushtetueses janë zgjedhur në vitin 2018 nga koalicioni PAN–Lista Serbe, duke e konsideruar këtë si një prej arsyeve të “dinamikës së ngadalshme” të gjykatës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button