Kosova
Kryesore

Çmimet e konsumit në Kosovë u rritën me 4,5% në gusht

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar një rritje mesatare prej 4,5 për qind në gusht 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Inflacioni mujor, krahasuar me korrikun 2025, u regjistrua në 0,5 për qind.

ASK bën të ditur se rritja vjetore është nxitur kryesisht nga çmimet e energjinë elektrike (17,1%), pushimeve të organizuara (17,1%), kafesë, çajit dhe kakaos (16,7%), pemëve (16,6%) dhe mishit (12,4%). Po ashtu, ndikim të konsiderueshëm patën edhe shërbimet për mirëmbajtjen e transportit personal (10,7%), shërbimet e tjera lidhur me transportin (10,4%), perimet (9,7%), vajrat dhe yndyrnat (8,6%), shërbimet hoteliere (8,2%) si dhe produktet e qumështit, djathit dhe vezët (8,2%).

Nga ana tjetër, disa kategori kanë shënuar ulje çmimesh. Më të theksuarat ishin te biletat e fluturimeve (-7,8%), lëndët djegëse të ngurta si druri dhe pelet (-4,1%), si dhe karburantet e lubrifikantët për transportin personal (-3,2%). Këto ulje patën një ndikim prej -0,4% në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Në krahasimin mujor, pra gusht me korrik 2025, rritja prej 0,5% është shpjeguar kryesisht me shtrenjtimin e biletave të fluturimeve (15,4%), produkteve të qumështit, djathit dhe vezëve (2,4%), perimeve (1,2%) dhe karburanteve për transportin personal (0,8%).

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button