Pranvera, stina që përkeqëson problemet e shëndetit mendor – Ekspertët japin alarmin

Pranvera nuk sjell vetëm rrezet e para të diellit dhe ngjyrat e natyrës, por për disa persona, veçanërisht ata që vuajnë nga çrregullime mendore, kjo stinë mund të përfaqësojë një periudhë përkeqësimi të simptomave.
Ekspertët e shëndetit mendor theksojnë se gjendjet psikiatrike janë të shumta, duke nisur nga ankthi, depresioni, çrregullimet e humorit e deri tek sëmundjet më të rënda si skizofrenia. Sipas psikiatres Irena Thoma, pranvera shënon një periudhë kritike, veçanërisht për personat me çrregullim bipolar.
“Më të ndjeshëm janë personat me çrregullime bipolare, pasi në dimër ata përjetojnë fazën depresive, ndërsa me ardhjen e pranverës kalojnë në gjendjen manjakale, e cila shoqërohet me eufori, hiperaktivitet, pagjumësi dhe veprime impulsive,” – shpjegon Thoma.
Por pse pikërisht pranvera sjell këtë përkeqësim? Psikiatrja thekson se “rritja e orëve të ditës dhe ulja e atyre të natës, si dhe ndikimi i dritës së fortë janë faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë ndryshim të gjendjes mendore”.
Për këtë arsye, mjekët theksojnë rëndësinë e madhe të terapisë dhe monitorimit të rregullt të saj, veçanërisht gjatë pranverës. “Dozat e medikamenteve në këtë periudhë duhet të monitorohen më nga afër. Vetëm me një trajtim të rregullt dhe të kontrolluar, ecuria e sëmundjes mund të jetë e qëndrueshme dhe me prognozë të mirë,” – përfundon psikiatrja Thoma.
Mjekët këshillojnë të mos neglizhohen shenjat dhe të kërkohet ndihmë profesionale sa më herët për të parandaluar komplikime serioze.