Shpërthim në veturën e drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari: Dyshohet për tentativë atentati

Një shpërthim ka ndodhur ditën e djeshme në veturën private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari. Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites në parkingun e administratës së QKUK-së, ku automjeti ishte i parkuar në hapësirat zyrtare të institucionit.
Hajdari ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku e ka quajtur shpërthimin një tentativë atentati nga persona të panjohur. Ai theksoi se nuk i ka borxh askujt dhe as nuk i ka hyrë dikujt në hak.
“Sot kam qenë objekt i një shpërthimi në veturën time – një akt që ngre dyshime të forta për tentativë atentati nga persona ende të panjohur për mua. Dua ta bëj të qartë se nuk i kam borxh askujt, as nuk i kam hyrë dikujt në hak ndonjëherë”, ka shkruar Hajdari.
Ai shtoi se nuk ka frikë dhe se do të vazhdojë misionin e tij me ndërgjegje të pastër dhe përkushtim të plotë, duke theksuar se dikujt po i pengon e vërteta dhe puna e tij e ndershme.
“Përballë ligësisë, kam zgjedhur të qëndroj drejt. Mbështetja juaj më jep forcë. Ne nuk ndalemi!”, përfundoi ai.
Ndërkohë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka konfirmuar incidentin, duke sqaruar se dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të paqarta.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbuluar motivet dhe autorët e mundshëm të ngjarjes.