Lajme

Policia Kufitare në Kukës godet veprimtaritë e paligjshme, sekuestron automjet dhe sasi lëndësh narkotike

Policia Kufitare në Kukës, në bashkëpunim me strukturat hetimore përkatëse, ka finalizuar me sukses disa operacione të njëpasnjëshme, duke goditur tre raste të veçanta të veprimtarive të paligjshme.

Në kuadër të këtyre ndërhyrjeve, janë sekuestruar një automjet i shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe sasi të dyshuara të lëndëve narkotike.

Një nga personat e arrestuar është D. N., 46 vjeç, banues në Belgjikë, i cili tentoi të hynte në Shqipëri me një automjet tip “Mercedes Benz”, që rezultoi të ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli në vitin 2021. Automjeti u sekuestrua si provë materiale për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorrike”.

Gjithashtu, janë arrestuar A. D., 33 vjeç, dhe D. T., 30 vjeç, të dy banues në Mal të Zi, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ata u kapën gjatë kontrollit në automjetin e tyre, ku u gjetën dhe u sekuestruan sasi të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa. Veprime procedurale për këtë rast u kryen në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës.

Po ashtu, Policia Kufitare kreu veprime administrative për V. N., 50 vjeç, banues në Pukë, që tentoi të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme. V. N. ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Krujë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

Materialet procedurale janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button