Lajme

Policia e Shtetit finalizon operacionin “MISLEADING MESSAGES”: Arrestohet 23-vjeçari francez për mashtrime kibernetike

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin kundër krimit kibernetik, të koduar “MISLEADING MESSAGES”, duke vënë në pranga një 23-vjeçar nga Franca, i dyshuar për mashtrime online me qëllim vjedhjen e parave nga qytetarët shqiptarë.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu dërgonte mesazhe të rreme në celularët e qytetarëve në Shqipëri, duke u paraqitur si një institucion bankar. Përmes një linku mashtrues, ai i drejtonte viktimat të plotësonin të dhënat e tyre bankare, të cilat më pas i përdorte për të hyrë në llogaritë e tyre dhe për të tërhequr para nëpërmjet bankomatëve apo aplikacioneve bankare.

Pas një hetimi intensiv dhe në bashkëpunim mes disa strukturave të Policisë së Shtetit, 23-vjeçari u kap në flagrancë pranë një bankomati në Tiranë, teksa tërhiqte para nga një llogari të përfituar përmes mashtrimit.

Në cilësinë e provave materiale, Policia ka sekuestruar tre aparate celularë. Deri më tani, dyshohet se janë mashtruar qindra qytetarë shqiptarë.

Ndaj të arrestuarit janë ngritur akuzat për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtruese.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm ndaj çdo linku apo aplikacioni të panjohur që marrin në rrjetet sociale dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button