Policia e Kosovës në konferencën vjetore të NIAIA-s në SHBA

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me eprorë të lartë të kësaj force, po marrin pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA), që po mbahet në Louisville, Kentucky, SHBA.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar janë të pranishëm edhe përfaqësues të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), të udhëhequr nga kryeshefi Hodaj. Delegacioni nga Kosova u mirëprit nga kryetari i bordit të NIAIA-s, Kapiten Ray, si dhe nga anëtarët e bordit dhe përfaqësues të delegacioneve të agjencive mbikëqyrëse policore amerikane.
Kosova, që nga viti 2021 është anëtare e barabartë e kësaj organizate, duke u bërë shteti i parë evropian që i bashkohet NIAIA-s krahas agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA.
Misioni i NIAIA-s është mbështetja e organizatave anëtare në ngritjen e standardeve të punës, integritetit, edukimit dhe profesionalizmit, përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e hetimeve të brendshme.