Kosova

Policia e Kosovës apel për kujdes ndaj zjarreve: Temperaturat e larta rrisin rrezikun

Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për kujdes të shtuar nga rreziku i zjarreve, të cilat çdo vit shkaktojnë pasoja serioze në jetë njerëzish, mjedis dhe pronë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo lloj ndezjeje zjarri dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies tek autoritetet përkatëse. Në një deklaratë zyrtare, Policia ka theksuar se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo individi që, qoftë me qëllim apo nga pakujdesia, shkakton rrezik për jetën apo pronën publike dhe private.

“Duke iu referuar temperaturave të larta, dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen. Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve. Policia e Kosovës do të ndërmerr masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve,” thuhet në njoftim.

Nga rajoni i Pejës, ku zakonisht gjatë verës janë regjistruar disa prej vatrave më të mëdha të zjarrit, autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve për kujdes maksimal në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr, si punimet bujqësore, ndezja e zjarreve në natyrë apo djegia e mbeturinave.

Zyrtarët kërkojnë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët për të parandaluar situata që mund të shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë publike dhe mjedisin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button