Kosova

Polemika për Marrëveshjen e Uashingtonit – Osmani thotë se është zbatuar, Peci dhe Hoti e kundërshtojnë ashpër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në shtator të vitit 2020 mes Kosovës dhe Serbisë, është zbatuar. Por kjo deklaratë ka ngjallur reagime të ashpra nga figura të njohura politike dhe diplomatike në vend.

Ish-ambasadori dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, e cilësoi deklaratën e Osmanit si të pavërtetë, duke thënë se “edhe nga qielli mund të shihet” se marrëveshja nuk është zbatuar. Ai akuzoi Qeverinë Kurti për dështim në implementimin e kësaj marrëveshjeje, çka sipas tij i ka shkaktuar Kosovës pasoja të mëdha gjeopolitike.

“Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Uashingtonit, sot Kosova do të kishte gazin dhe do të bëhej nyje e shpërndarjes së tij në Shqipërinë veriore, Mal të Zi dhe Serbi, si dhe pjesë kyçe e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore rajonale,” deklaroi Peci. Ai kujtoi se në vitin 2021, përfaqësues të Qeverisë Kurti e kishin quajtur atë gaz si “gaz rus”, pavarësisht se një pjesë e tij vinte nga SHBA në formë të lëngët përmes Greqisë.

Peci theksoi gjithashtu se nëse marrëveshja do të zbatohej, ndoshta sot do të ishte në përfundim edhe linja hekurudhore Prishtinë-Durrës, si dhe do të ishte zgjidhur çështja e menaxhimit të ujërave në Liqenin e Ujmanit. “Qeveria e Kosovës as që e ka shqyrtuar dokumentin e fizibilitetit për këtë projekt të hartuar nga SHBA-të – thjesht e hodhi në shportë,” tha ai.

Përplasjes me Presidenten Osmani iu bashkua edhe nënshkruesi i Marrëveshjes së Uashingtonit, ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ai e quajti deklaratën e Osmanit “hipokrizi politike”.

“Kjo është ajo që ndodh kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme,” shkroi Hoti. “Ti dhe Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar. Tani po mundoheni ta përvetësoni për shkak të ndryshimeve në rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik.”

Marrëveshja e Uashingtonit, e ndërmjetësuar nga administrata e atëhershme amerikane e Donald Trump, kishte për qëllim nxitjen e normalizimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, përmes projekteve infrastrukturore, energjetike dhe bashkëpunimeve tjera bilaterale. Zbatimi i saj vazhdon të jetë subjekt debatesh të thella në politikën kosovare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button