Planeti po përballet me zhdukjen masive të shkëmbinjve koralorë – paralajmërohet kolaps global

Planeti Tokë po hyn në një “realitet të ri” alarmues, pas zhdukjes masive të shkëmbinjve koralorë – ngjarje e konsideruar si pika e parë e kthesës klimatike, sipas një raporti gjithëpërfshirës të përgatitur nga 160 shkencëtarë në mbarë botën, shkruan CNN.
Raporti paralajmëron se ndryshimet klimatike po e çojnë sistemin e Tokës drejt pikave të rrezikshme të kthesës, nga pyjet e Amazonës deri te akujt polarë, duke rrezikuar ekuilibrin natyror të planetit dhe jetën e miliona njerëzve.
“Ne po i afrohemi me shpejtësi pikave të shumëfishta të kthesës që mund të transformojnë botën tonë, me pasoja shkatërruese për njerëzit dhe natyrën”, deklaroi profesori Tim Lenton nga Universiteti i Exeter, njëri nga autorët kryesorë të raportit.
Sipas të dhënave, që nga viti 2023, mbi 80% e shkëmbinjve koralorë në botë janë prekur nga zbardhja masive për shkak të temperaturave rekord të oqeanit. Kjo ka shndërruar ekosistemet nënujore dikur të gjalla në peizazhe të zbehta, të dominuara nga algat.
“Tani i kemi shtyrë shkëmbinjtë koralorë përtej mundësive të tyre,” tha Mike Barrett nga Fondi Botëror për Jetën e Egër (WWF), duke paralajmëruar se nëse ngrohja globale nuk frenohet, shumë zona koralore do të zhduken përfundimisht.
Koralet janë thelbësore për jetën detare, sigurinë ushqimore dhe ekonominë botërore, duke kontribuar triliona dollarë çdo vit, si dhe duke mbrojtur zonat bregdetare nga stuhitë. Humbja e tyre do të ketë pasoja të gjera ekologjike dhe ekonomike.
Raporti paralajmëron gjithashtu se planeti është në prag të tejkalimit të objektivit global për kufizimin e ngrohjes në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.
“Tani ekziston rreziku që kolapsi të ndodhë më shpejt,” shtoi Barrett.
Sipas studiueseve Manjana Milkoreit nga Universiteti i Oslos, bota nuk është e përgatitur për pasojat e këtyre ndryshimeve të papritura. “Politikat aktuale janë hartuar për ndryshime graduale, jo për kriza të papritura dhe të pakthyeshme,” theksoi ajo, duke shtuar se reagimi i qeverive në këtë periudhë “do të përcaktojë të ardhmen e sistemit të Tokës për dekada.”
Raporti u bën thirrje vendeve të veprojnë urgjentisht për uljen e ndotjes dhe largimin e karbonit nga atmosfera, si dhe për përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër.
Megjithatë, raporti sjell edhe një notë shprese: përdorimi global i energjisë diellore, automjeteve elektrike dhe pompave të nxehtësisë po rritet me ritme të paprecedenta.
Sipas Lenton, “kur teknologjitë e pastra zëvendësojnë ato ndotëse, nuk ka më kthim pas – sepse opsionet e reja janë më të lira dhe më të mira.”/Telegrafi



