Plagosje pas një konflikti në trafik në Milot, arrestohet një person

Një konflikt i çastit në trafik ka përfunduar me një person të plagosur në Milot, këtë të mërkurë, rreth orës 14:55. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një parakalimi të gabuar, që më pas degjeneroi në përplasje fizike mes katër personave.
Të përfshirë në konflikt janë vëllezërit Elio dhe Klaudio Kola, bashkë me kushëririn e tyre Gerardo Kola, të tre banues në Milot, si dhe Arber Aliu, 30 vjeç, nga Malbardha. Gjatë përplasjes, Aliu mbeti i plagosur me mjet prerës në zonën e brinjës së majtë dhe u dërgua menjëherë në spital. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar Klaudio Kolën, i dyshuar për plagosjen dhe dëmtimin e automjetit të Aliut. Ndërkohë, vetë Arber Aliu po procedohet penalisht për deklarim të rremë, ndërsa Elio dhe Gerardo Kola janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.