Pezullohet tenderi 137 milionësh për KEK-un – Murati akuzon OSHP-në dhe opozitën për bllokim të qëllimshëm

Tenderi për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A, me vlerë 137.3 milionë euro, është pezulluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), vetëm një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e ofertave.
Për këtë zhvillim ka reaguar ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, i cili ka akuzuar OSHP-në si një “institucion të kapur nga opozita”, duke thënë se pezulimi i tenderit përbën një tjetër pengesë ndaj përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve energjetike të vendit.
“Sa herë që KEK tenton të regjenerojë kapacitetet, disa nga opozita mobilizohen me të gjitha institucionet e kapura që të pengojnë çfarëdo pune që do rriste sigurinë e furnizimit”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai kritikoi ashpër pretendimin e OSHP-së se kriteret e tenderit ishin diskriminuese për kompanitë vendore, duke ngritur pyetjen se “cila kompani lokale ka kapacitet për rindërtim të termocentraleve?”
Murati përmendi edhe raste të tjera të ngjashme, përfshirë projektin me General Electric për turbinat e TC Kosova B, marrëveshjen me EIB për 100 MW energji solare, si dhe projektin me Bilfinger për rehabilitimin e blloqeve të Kosova A, që sipas tij janë penguar nga opozita.
“Në vend se puna të ecte dhe blloku A3 të rehabilitohej sa më shpejt, do të kemi vonesa të reja, sepse opozitës i pengon çfarëdo rritje e kapaciteteve publike. Vlerësojeni vetë, të dashur qytetarë, se kush po i shërben mafisë energjetike”, përfundoi Murati.
Deri tani, opozita nuk ka komentuar zyrtarisht mbi këto akuza, por pritet që kjo çështje të nxisë debat të ashpër në skenën politike, në një kohë kur Kosova përballet me sfida serioze në sektorin e energjisë.